admin

You Are Here: Home / Archives / admin

Pranverë – Verë 2017, gjithçka që duhet të dini mbi tendencat e fundit për shtëpinë

Categories:

Kur flasim për tendencat më të fundit, të cilat lidhen me sezonet dhe që influencohen nga moda apo dizajni, duhet të jemi të vëmendshëm edhe mbi risitë që sjellin në fushën e arredimit. Në fakt, kur ndërrohen stinët ne detyrohemi të ndërrojmë garderobën, madje duke u vënë në kërkim të elementeve të reja të cilat do të rifreskonin stilin tonë. Stina e luleve dhe e rilindjes së natyrës, ajo e ideve ose projekteve të reja, pranvera sjell plot surpriza edhe në arredimin apo dekorimin e shtëpisë. E njëjta gjë duhet marrë në konsideratë edhe për stinën më të nxehtë të vitit, verën.

Tashmë, jemi në mesin e sezonit Pranverë – Verë 2017 dhe sipas profesionistëve përreth globit këtë vit kemi mjaft gjëra interesante për të prekur apo për të ndryshuar brenda mureve të shtëpisë. Më së shumti, dy janë frontet ku ne duhet të përqëndrohemi për të sjellë një ndryshim rifreskues në arredim dhe dizajn: ngjyrat dhe stili! Me këtë artikull ju prezantojmë me këto risi, pa harruar shembujt praktikë dhe këshillat.

Ngjyrat! Këtë Pranverë – Verë ndryshimin e sjellin ngjyrat e ndezura

Cila është gjëja e parë që na vjen ndër mend kur mendojmë për stinën e pranverës? Po kur mendojmë për verën, përveç plazhit? Natyrisht, ngjyrat e ndezura! Për këtë arsye nuk mund t’i njohim tendencat e një sezoni si ai Pranverë – Verë, pa u ndalur te ngjyrat.

E nisim gjithçka me një sugjerim të Pantone. Firma amerikane, e cila është kthyer në një standard ndërkombëtar për përcaktimin e tendencave të ngjyrave, Pantone na këshillon që këtë vit të përdorim, ku të mundemi, ngjyrën Greenery. Në fakt Greenery duket ngjyra ideale për ta përdorur në mobilje dhe dekor gjatë një sezoni si ai Pranverë – Verë. Greenery është një jeshile plot shkëlqim dhe me nuanca drejt të verdhës. Nëse përfshini në dhomën e ndenjes një kolltuk, një ndriçues apo një aksesor dekori me këtë ngjyrë, rezultati viziv është plot me ndjesi pozitive, të freskëta dhe më pranë natyrës.

Për t’i dhënë një prekje më provokuese ambienteve tuaja ju mund të shtoni edhe disa aksesorë dekori, si vazo apo shandanë, në ngjyrë Flame. Në këtë rast kemi të bëjmë me një ngjyrë të kuqe të flaktë, e cila përcjell ngrohtësi por edhe thyen këndshëm monotoninë që mund të krijohet nga mobiljet njëngjyrëshe

Për ata që duan ngjyra neutrale dhe sa më afër natyrës, Hazelnut, është një kafe, me nuanca lajthie, tejet e bukur dhe absolutisht ajo që duhet gjatë këtij sezoni. Gjithashtu nëse aplikoni ngjyrën blu te perdet apo te jastëkët, gjithmonë sipas profesionistëve, shtëpia juaj do të përfshihet nga fryma dhe ndjesitë e sezonit.
Ndryshe nga ngjyrat e tjera, në rastin e blusë, ju mund të shfrytëzoni të gjithë potencialin dhe nuancat:
nga bluja e errët dek tek e kaltërta.

Elementet dhe zgjidhjet e reja në arredimin e sezonit më të bukur të vitit

Natyrisht, bashkë me ngjyrat, sezoni Pranverë – Verë mbart plot risi sa i përket dizajnit dhe stilit të arredimit të hapësirave të brendshme. Mbi të gjitha, duket se javët e fundit jemi dëshmitarë të rikthimit të motiveve floreale, të cilat mund t’i përfshijmë brenda shtëpisë nëpërmjet letrave të murit, tapeteve apo mbulesave të tavolinave. Vetëm se, ndryshe nga vitet e kaluara, këto motive me bazë lulet nuk duhet të jenë pompoze, të ngarkuara me elemente dhe ngjyra të komplikuara. Përkundrazi, këtë vit, preferohen lulet me forma delikate dhe elegante.

Një tjetër motiv dekorimi, i cili po kthehet sërish në trend, është dizajni me vija. Mbulesat, jastëkët apo ndenjëset e karrigeve me vija, janë elemente arredimi që kushtojnë pak për t’i bërë tonat, por që shtojnë shumë gjallëri në ambientet ku aplikohen.

Gjatë kësaj pranvere dhe sidomos gjatë verës, stilet e arredimit që do të jenë në trendet më të pëlqyera, janë country chic dhe minimal. Për t’ju afruar me sa më pak sforco këtyre stileve preferohet të zëvendësohen mobiljet apo aksesorët e dekorit tepër të komplikuara, me ato me një dizajn më të thjeshtë dhe uniformë, ku nuk duhet të mungojë ngjyra e bardhë dhe materiali i drurit.
Mobiljet e drurit, prej kohësh kanë vërtetuar se, pavarësisht stinëve, falin ngrohtësi dhe elegancë familjare, kudo ku i sistemojmë brenda shtëpisë. Tavolina e ngrënies, karrigia e relaksit pas pune apo komodinat në dhomën e gjumit, mund të jenë ekskluzivisht prej druri. Aksesorët e dekorit për të qenë sa më pranë stilit country chic janë vazot me lule dhe setet e porcelanit, mundësisht me ngjyrë të bardhë.

Gjatë këtij sezoni, risia më interesante është e lidhur ngushtë me relaksin. Më shumë se sa një tendencë të promovuar nga dizajnerat apo arkitektët, kemi të bëjmë me një zgjedhje të përqafuar unanimisht nga të gjithë. Të përfshirë nga një stil jetese të ngarkuar, plot tension dhe të rrethuar nga teknologjia, gjatë këtyre muajve shumë njerëz janë duke krijuar oaze relaksi, kënde të ndryshme të shtëpisë ku mund të meditohet, të lexohet një libër apo ku mund të shijohet një bisedë e qetë mes miqsh. Këto kënde mund të formohen me divanë të gjerë, jastëkë të rehatshëm dhe tapete të butë, larg televizorit, por pranë dritareve apo vetratave, aty ku ka më shumë dritë natyrale. I njëjti stil dhe atmosferë paqeje, sipas dizajnerave, mund të spostohet edhe në ambientet e jashtme, si verandat apo ballkonet. Një pije freskuese në një mbasdite vere, gjysmë të shtrirë në një divan të rehatshëm, është ajo që duhet pas një dite të ngarkuar.

Pavarësisht këshillave dhe trendeve të fundit të arredimit, gjatë këtij sezoni ajo që mund të sjellë vërtet një ndryshim sa më cilësor dhe novator brenda shtëpsië është padyshim edhe një stil më personal arredimi. Mos hezitoni të bëni zgjedhje sa më origjinale dhe ta shijoni sezonin të përfshirë në një atmosferë komode dhe plot stil.

Contract

Categories:

Outlet -30%

Categories: