Shumë prej nesh, pas një dite të gjatë dhe të lodhshme në punë, e kalojmë pjesën më të madhe të pasdites “të zhytur” në divanin e dhomës së ndenjes. Disa “harrohen” në maratona të gjata, duke parë serialin apo telenovelën e preferuar, seri pas serie, të tjerë shijojnë një libër ose ndajnë me të afërmit eksperiencat e ditës të lënë pas. Ajo çka na bashkon të gjithëve është ndjesia e rehatisë. Gati të gjithë, kur jemi mbi divan duam t’i dedikojmë kohë vetes dhe të tjerëve në rehati absolute!

Rehatia e një divani nuk varet vetëm nga stili, por mbi të gjitha nga funksioni, përmasat dhe përbërja e jastëkëve. Nga ana tjetër rehatia është diçka subjektive, një ndjesi që varet nga vetë dëshirat dhe nevojat tona. Në këtë shkrim do të mundohemi të zbulojmë pikërisht se cili është divani që bën për ne, ai që mund të na relaksojë më shumë nga të gjithë.

Për çfarë të duhet divani?

Po kërkon një divan të ri? Gjëja e parë që duhet të kesh parasysh, para se të zgjedhësh, është funksioni që do të ketë vetë divani. Po kërkoni një divan relaksi, për të parë të qetë televizor dhe për të ndarë momentet intime me të afërmit apo ju duhet diçka për eventet speciale mes miqsh? Të zë gjumi shpesh në divan? Jeni një familje e madhe?

Gjithçka varet nga nevojat personale, ndaj zgjidhni divanin që i përshtatet stilit tuaj të jetesës. Për shembull, nëse keni fëmijë të vegjël, divani juaj duhet të jetë rezistent ndaj njollave apo gërvishtjeve të lehta. Gjithashtu, nëse ju apo një pjestar i familjes ka probleme me shpinën, zgjedhja më e mirë do të ishte një divan me mbështetëse ergonomike.

Pasi të keni menduar mbi funksionin që duhet të ketë divani, do ta keni më të lehtë të zgjidhni atë që bën posaçërisht për ju. Një divan i dedikuar i gjithi relaksit duhet të jetë i butë edhe i madh. Nëse kërkoni një model për ta vendosur në qendër të dhomës së pritjes, për evente formale, një divan me ndenjëse pak më të ngurta dhe me përmasa elegante shkon më së miri.