Ndonjëherë kushtet na detyrojnë të transferohemi dhe të jetojmë në një shtëpi të re e cila nga përmasat nuk i kalon 50 m². Në të tilla raste është mëse e natyrshme të ndihemi në dilemë: a do të na mjaftojë hapësira për ta arreduar vërtet siç do të donim? Madje kur duhet të përballemi me hapësira të vogla, na duket sikur herët apo vonë do të humbasim shumë edhe sa i përket komoditetit.

Në fakt, mobilimi dhe dekorimi i hapësirave të ngushta është një sprovë për aftësitë tona krijuese, e cila mund të kthehet në një ekesperiencë argëtuese dhe tejet të këndshme. Nëse mbajmë parasysh disa këshilla dhe marifete (nga ato që do të bënin xheloz dhe iluzionistët) rezultati mund të jetë mëse i këndshëm.

Zgjeroni hapësirën, luani me mobiljet dhe dekorin

Mbi të gjitha, për të përftuar më shumë nga hapësirat në dispozicion, këshillohet që të mos shtoni ndarje të panevojshme. Edhe pse ndarjet me mure janë në modë, zgjidhni opsionin që dhoma e ndenjes dhe dhoma e gjumit të ndahen nga disa rafte me libra. Bibliotekat janë mëse perfekte për të ndarë vizualisht dy ambiente nga njëra-tjetra, pasi kursejnë hapësirë, por njëkohësisht falin dhe ndjesinë e një ambienti më të gjerë.

Nëse kjo gjë nuk është e mundur, atëherë krijoni një zonë të vogël “living” duke ndarë kuzhinën dhe dhomën e ndenjes, sërish jo me mure, por me anë të një biblioteke, tavoline ngrënieje elegante, apo një divani komod. Kjo mënyrë organizimi i hapësirave i bën të duken ambientet e ndryshme akoma më dinamike dhe të lidhura mirë me njëra – tjetrën.

 

Një mënyrë tjetër për t’i dhënë hapësirave të ngushta një pamje më të bollshme është përdorimi i pasqyrave, të cilat janë perfekte për t’u përdorur në përmasa të mëdha si në dhomën e gjumit, ashtu edhe në tualet. Përtej efekteve pamore, nëse jeni të tejmbushur me sende personale, koleksione DVD, artikuj dekori apo fotografi familjare, rriteni sipërfaqen ku mund të shkelni lirisht, duke vendosur gjithçka në rafte të montuara në mur.

 

Stili minimalist nuk është vetëm modë

Kur duhet të mobilojmë një apartament të vogël bëjmë mirë të marrim parasysh një stil më minimalist, i cili nuk është vetëm modë, por edhe një zgjidhje praktike. Një alternativë estetikisht e kënaqshme dhe mjaftueshëm komode është që të integrojmë në brendësi të shtëpisë ato mobilje që vërtet janë të nevojshme dhe njëkohësiht kryejnë disa funksione. Për shembull, në dhomën e ndenjes janë mëse perfekte divanët e vegjël por të rehatshëm, të cilët ofrojnë hapësira magazinimi në brendësi të tyre, ose tavolinat me shumë sirtarë. Vendosini mobiljet pranë cepave dhe krijoni më shumë hapësirë për të lëvizur më lirshëm në qendër të dhomës.

 

Nëse kuzhina është tejet e vogël, arredojeni me mobilje që përmbajnë sa më shumë hapësira magazinimi shtesë. Sa i përket pajisjeve elektroshtëpiake, duhet të mundoheni të gjeni raportin e duhur mes elemeteve funksionale dhe atyre vërtet të nevojshme. Sipas nesh, mobilimi i një kuzhine të vogël është një shans për të vënë në praktikë aftësitë e përftuara në lojën “Tetris”. Të paktën argëtohemi!

 

Kur bëhet fjalë për dhomën e gjumit, vetëm krevati dhe dollapi zënë një pjesë të mirë të hapësirës. Ndaj edhe në këtë rast zgjidhni sa më pak mobilje, por që luajnë disa funksione, pasi kjo gjë ju bën sërish të qarkulloni më lirshëm në ambientin tuaj më intim. Një pjesë të mirë të sendeve personale apo të dekorit vendosini nëpër rafte të montuara në mure. Sa i përket dekorimit të mureve fokusohuni në pak elemente dhe në një stil minimalist, pa humbur në elegancë apo pa lënë mënjanë shijet personale.

Si të krijosh më shumë hapësirë me ngjyrat

Edhe kur tregohemi të kujdesshëm duke vendosur mobiljet e duhura, sërish rrezikojmë të mos ndihemi rehat nëse nuk zgjedhim ngjyrat e përshtatshme. Në fakt ngjyrat janë një element tejet i rëndësishëm për t’i dhënë më shumë frymëmarrje ambienteve të vogla. Këshillohet që jo vetëm për mobiljet, por edhe për muret të përdoren nuancat e hapura. Këto të fundit e bëjnë ambientin të duket i bollshëm dhe i ndriçuar mirë.

 

Ngjyra ideale mbetet e bardha. Për shembull, nëse dhomat janë të larta mund t’i lyejmë muret me ngjyrë të bardhë. Kur tavani është shumë i ulët, atëherë shumë mirë mund të lyejmë muret me ngjyrë bojëqielli të hapur dhe të bardhën e aplikojmë eksluzivisht për tavanin, duke e bërë këtë të fundit të duket edhe më i lartë. Edhe sa i përket dyshemeve, ngjyrat e hapura duhet të jenë një zgjedhje e padiskutueshme. Për shembull, një parket me ngjyrë druri të errët krijon iluzionin e një ambienti edhe më të vogël.

 

Kushtet apo specifikat e ambienteve tuaja ndoshta nuk janë optimale që ju të aplikoni të gjitha këshillat e mësipërme, por me siguri do të bëni një progres të dukshëm, duke fituar hapësirën për të cilën keni nevojë. Mos harroni, i gjithë mobilimi i shtëpisë tuaj duhet të jetë në thelb një proces argëtues.