Jeni duke ndërtuar shtëpinë tuaj të ëndrrave? Po lini pas banesën tuaj aktuale për t’u transferuar te një e re, ku nuk duhet të mungojë asgjë? Keni menduar se si do të jetë tualeti? Në situata të tilla, kur ndërtojmë gjithçka nga e para ose kur duam të rikonstruktojmë shtëpinë, natyrisht duhet të mendojmë edhe për tualetin. Shumë prej jush tualetin e konsiderojnë një nga zonat më të rëndësishme të shtëpisë dhe ky është vërtetë mentaliteti i duhur! Nga ana tjetër, për të ndërtuar apo për të rikonstruktuar një tualet nga e para duhet bërë një plan i detajuar dhe duhen menduar zgjidhje praktike të përshtatshme për ju apo për të gjithë familjen. Jeni gati?

Për disa persona tualeti ka për funksion parësor pastertinë, pra kujdesin ndaj higjenës personale, por për të tjerë është edhe një zonë e dedikuar relaksit. Gjëja e parë që duhet bërë, para se të zgjidhni modelet e elementeve, sistemimin apo dekorimin, ndaluni për pak çaste të mendoni se çfarë kërkoni realisht nga tualeti juaj. A keni mjaftueshëm hapësirë? Cili sistem do t’i përshtatej më së miri shijeve dhe nevojave të partnerit apo të fëmijëve tuaj? Çfarë do të thotë për ju një tualet i kompletuar dhe modern? Keni shumë kohë të lirë të relaksoheni në vaskë apo keni një stil jetese plot me impenjimeve? Pasi të keni gjetur përgjigjet e duhura, do të jeni gati të ndërtoni gjithçka, detaj pas detaji.

Vaska

Një nga elementet që gati të gjithë mendojmë të parin, kur imagjinojmë tualetin ideal, është
vaska. Rikthehemi tek pyetja: sa kohë të lirë keni për të bërë një vaskë relaksuese? Mjaftueshëm? Shumë mirë, atëherë vaska është padyshim qendra e tualetit për ju, ndaj nëse keni mjaftueshëm hapësirë ju mund ta vendosni praktikisht në mes. Kur do të dëshironi të relaksoheni në vaskë do të ndiheni në qendër të botës dhe gjithashtu do të keni më shumë hapësirë përreth për të vendosur produktet kozmetike, peshqirët, artikujt e dekorit apo një gotë verë. Në këtë rast zgjidhni një vaskë të lartë, për të mos lagur të gjithë dyshemenë, dhe një model me stil elegant, e cila nuk e mbingarkon tualetin dhe e bën të duket më i bollshëm.
Nëse ju mungon hapësira, mos hiqni dorë nga eleganca, por zgjidhni një vaskë pak më të vogël dhe që të mund të mbështetet në një nga muret e tualetit. Në mur ju mund të montoni mishelatorët e vaskës apo edhe artikujt e higjenës personale, duke kursyer akoma më shumë vend.

Dushi

Sa i përket dushit, gjithçka është akoma më e thjeshtë: zgjidhni dushin me pllakën më të madhe në treg dhe bëni të pamundurën që t’i gjeni vend në tualetin tuaj. Të gjithë kemi mjaftueshëm kohë të lahemi çdo ditë në dush, ndaj zgjidhni modelin më cilësor që mund të gjeni dhe bëjeni luksin një eksperiencë të përditshme. Nëse nuk doni të përballeni me surpriza të pakëndshme që herët në mëngjes, elementet e dushit merrini gjithmonë rezistente. Sa stresuese mund të jetë shkëputja e tubit nga mishelatori, vetëm pak minuta para se të vraponi për në punë?
Gjithashtu, askush nuk do të dëshironte të kishte kontakt me perdet e dushit, të ftohta dhe të lagura, për këtë arsye kabinat janë shumë më komode dhe praktike gjatë dushit.
Jepini rëndësi edhe dizajnit, pasi dita duhet të nisë dhe të mbyllet me një dush komod por edhe estetikisht të këndshëm. Linjat minimaliste apo Art Deco, janë tendencë pasi janë tejet të këndshme, pa lodhur vizualisht.

Lavamani

Jeni një familje e madhe? Ju dhe partneri keni të njëjtat orare? Keni vetëm një tualet? Atëherë vendosni në tualet jo një, por dy lavamanë. Në këtë mënyrë do ta keni më të lehtë të koordinoheni më lehtë me njëri-tjetrin në të gjitha situatat e mundshme. Nëse kjo ide ju duket shumë trasgresive apo nëse nuk keni mjaftueshëm hapësirë, vendosni një lavaman të bollshëm, ku mund edhe të vendosni lirshëm gjërat që ju nevojiten pranë duarve.
Gjithashtu, për të krijuar idenë se në tualetin tuaj ka mjaftueshëm hapësirë, ekziston një marifet i vjetër, por që funksionon më së miri. Zgjidhni dhe montoni një lavaman pa strukturë mbështetëse, i cili mund të mbështetet apo të varet direkt në mur.

Mobiljet

Pavarësisht se kemi krijuar përshtypjen që tualeti është një nga zonat më të lirshme të shtëpisë, në fakt kemi të bëjmë me një hapësirë që mund të tejmbushet kollaj nga larësit, shampot, sfungjerët, pastat, peshqirët, produktet farmaceutike etj. Tualetet tona janë të mbingarkuara me artikuj dhe produkte. Për të mënjanuar rrëmujën gjëja më e mirë që mund të bëni është të montoni sa më shumë mobilje dhe t’i shfrytëzoni si hapësira të volitshme për të sistemuar dhe vendosur gjithçka.
Mobiljet mund t’i montoni në mur, për të kursyer vend në dysheme, i përshtasni poshtë lavamanit ose në krahë të vaskës. Kështu ju do të dini ku keni vendosur atë çka kërkoni dhe praktikisht do të keni pranë duarve gjithçka ju nevojitet në tualet. Muri sipër lavamanit është një vend tejet i përshtatshëm për të montuar një raft, ku mund të mbani artikujt e kozmetikës dhe ato të higjenës orale. Në këtë rast, në vend të një kanati prej druri ju mund të përdorni një pasqyrë, e cila është mëse e nevojshme sipër lavamanit.
Një stol i vogël prej druri do ta bëjë tualetin tuaj të duket akoma më i këndshëm dhe elegant. Ky element është tejet praktik për të vendosur ndërresat e reja gjatë kohës që bëni dush.

Pllakat/Parketi

Edhe pse në këtë artikull nuk është trajtuar si një nga hapat e para, shtrimi i dyshemesë dhe i mureve është padyshim gjëja e parë që duhet të mendoni për tualetin tuaj të ri. Kjo temë është me rëndësi, pasi lagështira është një faktor i përhershëm dhe gati i kudondodhur në tualet. Ndaj duhet të mendojmë se si do të shtrojmë tualetin: pllaka apo parket? Të dyja janë zgjidhje ideale. Për shembull, një parket klasik dhe rezistent ndaj ujit do ta kthente në një eksperiencë elegante dhe familjare të gjithë kohën që do të kaloni në tualet. Intimiteti dhe ngrohtësia që përçon druri nuk ka të krahasuar me asnjë material tjetër. Ndryshe nga çfarë ndodh rëndom, në krahasim me zonat e tjera të shtëpisë, një tualet me dysheme prej druri do ju falte më tepër ngrohtësi.
Nga ana tjetër, pllakat janë perfekte, pasi izolojnë mirë nga lagështira dhe mund të vendosen lehtë edhe në muret e tualetit. Pllakat ju lejojnë edhe të personalizoni tualetin sipas dëshirës, pasi ju mund të zgjidhni në mes të një pafundësie formash dhe modelesh që ndodhen në treg. Si ju duket një tualet i veshur me pllaka bardhë e zi dhe që ngjason me fushën e shahut? Po një tualet i veshur i gjithi me pllaka që imitojnë përsosmërisht mermerin? Pavarësisht shijeve, hapësirës apo buxhetit, pllakat janë mjaftueshëm praktike, pasi mund të pastrohen lehtë dhe shpejt.

Ndriçimi

Një tualet plot stil dhe me elemente cilësore nuk mund ta shprehë të gjithë potencialin e tij nëse nuk ndriçohet mirë. Për këtë arsye ndriçimi është faktor kyç në tualet. Madje as nuk mund të kujdesemi siç duhet për higjenën tonë në këtë dhomë të shtëpisë nëse nuk e ndriçojmë ashtu siç duhet.
Për një ndriçim të përgjithshëm por elegant, mjafton të montoni në tavan ose në mure një seri dritash LED dhe rezistente ndaj lagështirës. Në cepat e pasqyrës mund të integroni disa llamba apo projektorë të vegjël, por me kusht që mos të jenë tepër të forta apo të afta që të falsifikojnë ngjyrat. Duhet patur parasysh që në tualet duhen ruajtur sa më shumë ngjyrat natyrale.
Pasi të keni marrë në konsideratë këshillat e mësipërme dhe pasi të keni hartuar projektin për tualetin tuaj ideal, ju mund të filloni të planifikoni gjithçka akoma më lehtë. Faza e dytë, zbulimi i elementeve që bëjnë për ju, është ajo më argëtuesja. Ne do t’ju japim një ndihmë të vogël dhe do t’jua thjeshtojmë akoma më shumë gjërat me një sekret të vogël. Të gjithë artikujt që keni parë në fotot e këtij shkrimi dhe shumë e shumë surpriza të tjera do të mund t’i gjeni në të gjitha dyqanet Brunes!